Prishtinë – Në kuadër të Kosovo Sustainable Development Week, Kosovo CSR Network organizoi një panel me temën promovimi i një shoqërie të shëndetshme përmes prodhimit dhe konsumit të përgjegjshëm të ushqimit, si dhe menaxhimit të mbetjeve ushqimore.
Gjatë diskutimit u prezantuan praktika të mira nga industria ushqimore, me theks në prodhimin cilësor dhe të qëndrueshëm, si dhe respektimin e standardeve ndërkombëtare. Vëmendje e veçantë iu kushtua kompostimit dhe riciklimit të mbetjeve ushqimore si mënyrë për mbrojtjen e mjedisit.
Në këtë panel mori pjesë edhe drejtoresha e Eco Kos, Edona Demaj, e cila theksoi rolin e rëndësishëm të kompanisë në promovimin e prodhimit dhe konsumit të përgjegjshëm, përmes riciklimit të vajit të përdorur ushqimor (UCO). Përmes grumbullimit dhe eksportit të këtij materiali nga industria dhe sektori i gastronomisë, Eco Kos kontribuon drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit.

