Edona Demaj: Sektori privat kyç në tranzicionin e drejtë energjetik

Prishtinë – Drejtoresha e Eco Kos, Edona Demaj, mori pjesë në një panel të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në kuadër të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshmërisë në Kosovë, ku u diskutua roli i sektorit privat në tranzicionin e drejtë energjetik.

Gjatë panelit u theksua se sektori privat ka një rol kritik në drejtimin e tranzicionit energjetik, duke kontribuar në zhvillimin e zgjidhjeve të qëndrueshme dhe inovative.

Në fjalën e saj, Demaj theksoi se tranzicioni i drejtë nuk mund të arrihet pa adresuar hendekun gjinor dhe pa përfshirë plotësisht gratë në të gjitha nivelet e industrisë. Ajo nënvizoi se prania e grave në kompani është thelbësore, pasi ato sjellin perspektiva dhe aftësi të ndryshme që kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe suksesin e bizneseve.

Demaj, njëkohësisht bashkëthemeluese e Komitetit Gratë në Energji dhe Miniera, shtoi se fuqizimi i grave në sektorin energjetik është një hap i domosdoshëm drejt një tranzicioni më të drejtë dhe gjithëpërfshirës.