Obiliq – Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Sh.T. Georg Schnetzer, ka realizuar një vizitë në kompaninë Eco Kos, e specializuar në grumbullimin, përpunimin dhe eksportin e vajit të përdorur ushqimor.
Gjatë vizitës, ambasadori u njoh nga afër me të gjithë procesin operativ të kompanisë – duke filluar nga grumbullimi i vajit, testimi dhe ndarja e tij, e deri tek transporti për në kompaninë partnere Münzer Bioindustrie GmbH në Vjenë, ku ky material shërben si lëndë e parë për prodhimin e karburanteve të rinovueshme.
Ky model pune përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në tranzicionin e gjelbër, duke ndihmuar në mbrojtjen e mjedisit dhe duke krijuar vende të reja pune, me fokus të veçantë në përfshirjen e grave në sektor.
Një ndër elementet kyçe të zhvillimit të Eco Kos është edhe digjitalizimi i proceseve. Përmes zhvillimit të një platforme web dhe mobile, kompania ka arritur të rrisë ndjeshëm efikasitetin operacional. Ky projekt është mbështetur nga Austrian Development Agency dhe bashkëfinancuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në kuadër të iniciativës Digital Empowerment Initiative (DEI). Rezultatet përfshijnë uljen e përdorimit të letrës, përmirësimin e saktësisë së të dhënave dhe koordinim më të mirë ndërmjet aktorëve të përfshirë.
Vizita theksoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, duke dëshmuar se partneritetet ndërkombëtare mund të sjellin inovacion, zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime konkrete për ekonominë dhe mjedisin.



